
Ferizaji ka shënuar fitoren më të thellë gjatë sezonit aktual në Superligën e Kosovës, teksa sot në rolin e nikoqirit me shifrat 4:0 mundi Trepça ’89, njofton “infOSport.mk”.
Figurë qendrore te skuadra e Ferizajit ishte Taulant Dajaku, i cili përveç që shënoi dy herë në rrjetën e skuadrës nga Mitrovica, asistoi edhe në golin e tretë të shënuar nga Edon Sadriu, derisa një gol tjetër për ekipin ferizajas në këtë përballje realizoi edhe Nermin Hajdareviç, futbollisti boshnjak, i cili gjatë afatit kalimtarë të dimrit në formë huazimi kaloi te skuadra kosovare.
Ai Ferizajit iu bashkua për 6 muaj nga rradhët e skuadrës boshnjake të Çelikut, ndërsa vlen të përmendet se 6 muajt e fundit i njëjti ishte pjesë e FC Shkupit, mirëpo duke mos arritur të zhvillojë asnjë ndeshje zyrtare, edhe pse erdhi si përforcim për repartin e sulmit.
Aftësitë e tij realizuese, Hajdareviç i dëshmoi sot me fanellën e Ferizajit, kur në minutën e 86-të realizoi golin e katërt për Ferizajin, pas asistit të Edon Sadriut.
Ishte ky goli i parë për boshnjakun me fanellën e skuadrës nga Superliga e Kosovës, që pas 22 xhirove numëron 25 pikë, vetëm një më pak se Trepça ’89, që gjindet në pozitën e 8-të, një pozitë më lartë se Ferizaji, skuadër kjo që deri në fund të kampionatit do të duhet të luftojë për mbijetesë.