Liverpulli ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Burnmautit në ndeshjen e vlefshme të javës së 29-të, duke i dhënë fund serisë prej dy humbjeve rradhazi pas asaj ndaj Uatfordit në kampionat dhe Çelzit në kuadër të FA Kupës, njofton “infOSport.mk”.
Edhe takimi i sotëm nuk nisi mirë për të besuarit e trajnerit Jurgen Klop, pasi ishte Burnmauti që avansoi me golin e shënuar nga Uillson (9’).
Kundërpërgjigja erdhi në minutën e 25-të me anë të Mohamed Sallah, i cili me të majtën e tij shënoi për barazim të rezultatit në 1:1, ndërkohë Sadio Mane në minutën e 33-të shënoi edhe golin e dytë, duke përmbysur rezultatin.
Pjesa e dytë kaloi në një dominim të lehtë të Liverpullit, mirëpo rrjetat pushuan, ashtu që në fund rezultati i pjesës së parë 2:1, doli të jetë edhe ai final.
Ishte kjo fitorja e 27-të nga gjithsej 29 ndeshje për Liverpullin, që vazhdon të kryesojë bindshëm tabelën e klasifikimit me 82 pikë, 25 pikë më shumë se Mançester Siti i vendit të dytë, që njëherit ka edhe dy ndeshje më pak.
Në anën tjetër Burnmauti me 27 pikë vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë.