Të luash kundër një lojtar si Zlatan Ibrahimoviç nuk është aspak e lehtë. Por, mesa duket të jesh edhe shok skuadre me të qenka po njësoj. Këtë gjë e ka konfirmuar mesfushori i LA Galaksit, Sebastian Lletget, i cili kujton momentet me suedezin në ekip.
“Atmosfera këtu në ekip ka ndryshuar shumë që nga largimi i Ibrës. Këtë e them me siguri, se me të në ekip ne nuk ishim të lirë. Ishte një situatë shumë stresuese. Ne ishim gati të hiqnim këpucët dhe të braktisnim fushën. Është e vërtetë që të luash kundër tij është e vështirë, por ishte akoma më e vështirë të jesh në të njëjtin ekip me të”, tregon amerikani që luajti dy sezone me Zlatanin.
“Mbaj mend, në derbin kundër Los Angles FC më ndodhi një episod i çuditshëm me të. Kundërshtarët fituan një goditje të lirë pranë zonës tonë dhe ne po formonim murin mbrojtës. Ai po qëndronte në mur dhe unë e pyeta nëse duhet të bashkohem apo jo. Përgjigjja e tij ishte po dhe në momentin kur ata ekzekutuan goditjen ai më shtyu mua drejt topit. Është diçka e çmendur për t’ia bërë një shoku të ekipit. Gjithsesi unë reagova me qetësi, por ditën tjetër të gjithë flisnin për atë që ai bëri”, mbyll Lletget. (abcnews)