Koronavirusi është tema aktuale në gjithë Botën, ndërsa në Itali ka përfshi edhe sportin. Kjo bëri që shumë ndeshje futbollistike të pezullohen ndërsa shumë ndeshje u zhvilluan pa tifozë.
Fundjava do të zhvillohet e plotë, por rreziku i infektimit dhe përhapja e virusit është gjithmonë prezent.
Kjo situatë e krijuar ka detyruar UEFA-n të marrë masa. TMË raporton se arbitrat italianë nuk do të drejtojnë asnjë nga ndeshjet e ardhshme në kuadër të dy kompeticioneve më të rëndësishme europiane në nivel klubesh, Ligën e Kampionëve dhe Liga Europa.
Shtëpia e futbollit europian ka frikë nga përhapja e koronavirusit, ashtu që ka vendosur t’i lërë pushim arbitrat italianë.
Këta të fundit janë ndër më të mirët në profesionin e tyre, por duelet e ardhshme europiane do t’i ndjekin nga shtëpia përmes ekraneve televizive.