Shkëndija barazoi sot 2:2 me Rabotniçkin dhe siguroi kualifikim në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, me përparësinë e më shumë golave të shënuar si mysafir, pasi takimi i parë në Tetovë ishte mbyllur baraz 1:1.
Trajneri i “kuqezinjëve” Ernest Gjoka ashtu si që kishte paralajmëruar në skuadër bëri më tepër ndryshime, duke u dhënë shans për lojë lojtarëve që kanë patur më pak minuta në takimet paraprake, ndërsa me Besart Ibraimin dhe Muratin në pankinë, shiriti i kapitenit i takoi Mexhit Nezirit.
Mbrojtësi vlerëson paraqitjen dhe avansimin në gjysmëfinale, megjithëse mendon se ekipi duhej të mbyllte më herët kualifikimin në kushte kur u humbën shumë shanse para portës kundërshtare.
“Duke ditur se kishim nevojë për fitore apo barazim me më shumë se 1 gol, ne nisëm ndeshjen hapur, kishim kontroll në terren, shënuam në kohë dhe kishim domimin në pjesën e parë. Sa i përket pjesës së dytë vetëvetiu u tërhoqëm pasi edhe rezultati ishte ashtu. Gjithsesi edhe në atë periudhë krijuam dy apo tre raste të mira për të shënuar dhe mendoj se duhej ta kishim mbyllur ndeshjen me një gol të dytë. Fatkeqësisht gjërat shkuan ndryshe kur vendasit barazuan, pastaj rigjetëm epërsinë me atë super gol të Besartit (Ibraimit) dhe në fund pësuam edhe golin e dytë pas një pakujdesie në mbrojtje. Gjithsesi duke parë se ky rezultat na kualifikoi, duhet të jemi të kënaqur pasi ekipi ec mirë, fitojmë në kampionat, kaluam turin, pra jemi në gjysmëfinale” – është shprehur për kanalin zyrtarë të skuadrës tetovare Mexhit Neziri.