Struga Trim Lum sot në Tetovë kundër Renovës do të diskutojë për një vend në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Duke pasur parasysh se ndeshja e parë në Strugë ishte mbyllur me shifrat 0:0, të dyja skuadrat do të duhet të nisin gjithçka nga fillimi, ashtu që skuadra që do të shënojë një gol më shumë do të kalojë në raundin tjetër.
“Ndeshje e vështirë, por kemi rezultat 0:0. Në Tetovë shkojmë për të vulosur gjysmëfinalen. Jemi të kompletuar dhe kjo ka shumë rëndësi për ne si klub” – u shpreh fillimisht Flamur Tairi.
Struga Trim Lum po vuan shumë në sulm, teksa në 3 ndeshjet e stinorit pranveror në LPFMV nuk ka shënuar asnjë gol. Megjithatë sipas kapitenit Tairi pikërisht ndeshja e sotme është ideale për të bërë kthesën dhe për të vazhduar më pas serinë e golave edhe në ndeshjet kampionale.
“Po, e vërtetë është që nuk kemi shënuar asnjë gol në 3 ndeshjet kampionale, mirëpo mendoj se ndeshja e sotme është një rast ideal për të shënuar dhe për të kaluar më tutje, ndërsa gjithashtu për të na hapur rrugën për të shënuar edhe në ndeshjet kampionale” – përfundoi Tairi.
Kujtojmë se Struga Trim Lum dhe Renova në historikun e tyre në kuadër të ndeshjeve të Kupës janë takuar edhe gjatë vitit 2017-të, kur diskutonin për një vend në çerekfinale. Pas barazimit 2:2 në ndeshjen e parë në Strugë, në Tetovë Renova kishte shënuar fitore 3:2, duke u kualifikuar në mesin e 8 skuadrave më të mira të Kupës atë kohë, ndërsa sot skuadra fituese do të kalojë në gjysmëfinale, që për Struga Trim Lum do të ishte suksesi më i madh, ndërsa për Renovën një rikthim pas shumë vitesh.