Lajm i madh për tifozët e Partizanit dhe vetë “të kuqtë” nga kryeqendra shqiptare pak ditë para derbit të madh me rivalin lokal Tiranën, që do të zhvillohet ne “Air Albania”.
Esat Mala, prej disa muajsh “i degdisur” te Partizani B, këtë të mërkurë është bashkuar me ekipin e parë, nën urdhrat e trajnerit, Sormani.
Duket se drejtuesit dhe mesfushori i kanë zgjidhur mosmarrëveshjet, që i kanë kushtuar shtrenjtë klubit të kuq. Tani që “Demave” u është shtrënguar laku, është thirrur në “betejë” një nga “gladiatorët” e ekipit që u shpall kampion i Shqipërisë vitin e kaluar dhe që së bashku me shkupjanin Jasir Asani, ishte një ndër futbollistët më të dalluar, kur ishte në pyetje pjesa ofenzive.
Esat Mala është aktivizuar në derbin e skuadrave të dyta, Tirana B-Partizani B, që përfundoi 1:1. Një provë e përgjithshme para derbit të vërtetë, atij të së premtes, që do të luhet në “Air Albania Stadium”, në orën 19:00. Tifozët e kuq kanë kohë që e kërkojnë kthimin e Malës, por dëshira e tyre po plotësohet në një moment delikat, përballë rivalit të përjetshëm, që kryeson kampionatin me 44 pikë, 6 më shumë se Partizani, që pas 23 xhirove mban pozitën e tretë në Superligën shqiptare.