Futbollisti me origjinë nga Tetova, Lirim Mema, i cili gjatë afatit kalimtarë të dimrit iui bashkua Dritës së Gjilanit, në një intervistë për të përditshmen shqiptare “Panorama Sport” ka konfirmuar se çështjen me klubin e Flamurtarit nga Superliga shqiptare nuk e ka mbyllur dhe për mos kryerjen e obligimeve ai do t’i drejtohet gjyqësorit në UEFA për t’i marrë paratë që i takojnë.
“Flamurtari nuk më ka paguar asnjë cent dhe asnjë fjalë e drejtuesve nuk është mbajtur. Po ashtu po injorojnë edhe kërkesat e avokatit. Nuk dua të shkoj në gjyq. Por nëse nuk ka rrugëdalje tjetër, normalisht që do të kërkoj të drejtën time edhe në rrugë ligjore”, – ka thënë Mema, i cili pjesë e Flamurtarit të Vlorës ishte nga gushti i vitit 2019-të deri janarin e vitit 2020.
22-vjeçari Mema ishte titullar në ndeshjen e fundit ndaj Vushtrrisë, të cilën Drita e Ardian Nuhiut e fitoi ndeshjen me rezultatin 3:2.