Borusia e Dortmundit ka shënuar fitore 2:1 në ndeshjen e parë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve Europian kundër Paris Sen Zhermenit, njofton “infOSport.mk”.
Doli të jetë kjo një super ndeshje, ku fjalën kryesore patën Erling Holand dhe Nejmar, me norvegjezin që në fund doli fitues, duke vazhduar në këtë mënyrë për të mahnitur Botën e futbollit.
Që të tre golat në këtë ndeshje u shënuan gjatë pjesës së dytë, ndërsa golin e tij të parë sulmuesi Holand e realizoi në minutën e 69-të. Ky gol solli shumë gëzim në mesine tifozëve “verdhezi”, të cilët në një moment u shtangën pas golit të brazilianit Nejmar në minutën e 75-të.
Megjithatë kur në skuadër ke një super sulmues si Holand, atëherë gjërat janë më të lehta.
Norvegjezi vetëm dy minuta pas golit të Nejmar me të majtën e tij realizoi një super gol, duke i siguruar në këtë mënyrë fitoren skuadrës gjermane, që pas tre javësh në “Parkun e Princërve” do të tentojë të ruajë këtë rezultat dhe të kalojë në çerekfinale.