Skuadra e Dritës që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, ka triumfuar në derbin e Anamoravës, duke mundur rivalin e qytetit, Gjilanin me rezultatin 2:0, shkruan “infOSport.mk”.
Si të gjitha ndeshjet mes këtyre dy skuadrave nga Gjilani, edhe ndeshja e sotme u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme në tribuna.
Pas ndeshjes, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu tha se ndeshja u fitua me plot meritë nga ana e skuadrës së tij, që tashmë me 34 pikë renditet në pozitën e dytë, menjëherë pas Ballkanit që ka 37 pikë.
“Sot pamë një ndeshje të Superligës, pati gjithçka, raste, shtylla dhe fituam ndeshjen me plotë meritë. Ishim të kujdesshëm me topa të lartë, i kemi mbyllur mirë, na kanë rrezikuar me shtyllat nga goditjet standarde, krijuam dhe në pjesën e parë”, – tha Nuhiu.
“Çunat besuan dhe lanë shpirtin në fushë për të marrë këtë fitore. Tifozët bënë spektakël në tribuna”, – u shpreh Nuhiu pas përfundimit të ndeshjes për “Supersport”.