Vardar-Makedonija Gj.P, dueli që dhuron përballjen midis dy talentëve shqiptarë nga Komuna e Sarajit

Përballja midis Vardarit dhe Makedonija GJ.P do të zgjoj interes të veçantë edhe për shqiptarët e Komunës së Sarajit, nga e cila vijnë edhe dy futbollistët shqiptarë në ekipet respektive, Xhemal Ibishi dhe Sefer Emini, shkruan “infOSport.mk”. Bëhet fjalë për dy super talentë të futbollit, të cilët sot do të vihen përballë njëri tjetrit, me Eminin që këtë edicion me Makedonija Gj.P e tij nuk njeh disfatë përballë Vardarit.

“Vardari është lider aktual, por ne si skuadër jemi përgaditur shumë për këtë ndeshje, që t’ia dalim me rezultat pozitiv. Nuk ka asnjë arsye që mos të fitojmë këtë duel, nisur edhe nga fakti se në dy ndeshjet paraprake të këtij sezoi shënuam fitore 2:0 dhe barazuam 1:1, duke treguar shumë kualitet. Kjo na jep motiv shtesë, edhe pse duhet pranuar se ndeshja e sotme do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi jo rastësisht Vardari është edhe lider aktual” – tha enkas për “infOSport.mk”, Sefer Emini.

Në anën tjetër sulmuesi i talentuar i Vardarit nga Saraji, Xhemal Ibishi tha se ka respekt për Makedonija GJ.P dhe bashkëqytetarin e tij, Sefer Emini, megjithatë pikët do të jenë për ekipin e tij.

“Respekte për Makedonija Gj.P dhe Sefer Eminin, megjithatë besoj se pikët këtë herë do i takojnë Vardarit” – u shpreh shkurtimisht për portalin tonë sulmuesi “kuqezi”, Xhemal Ibishi.

Ndeshja Vardari – Makedonija Gj.P zhvillohet në arenën “Todor Proeski” me fillim në ora 14:00 dhe e njëjta do të transmetohet drejtëpërdrejtë në ekranet e TV Arena dhe TVM.

Leave a Reply