FC Shkupi ka humbur një ndër talentet e saj, Hamza Rahmani, i cili mbron ngjyrat e Përfaqësueses U18 të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
17-vjeçari Rahmani ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë te Vëllazërimi i Kërçovës, aty ku është prezantuar gjatë ditës së sotme. Në një intervistë për “infOSport.mk” , Rahmani tha se Vëllazërimin e sheh si trampolinë për të ecur para në karrierën e tij. Ai te skuadra kërçovare shpreson të fitojë atë eksperiencën e duhur në futbollin profesionist, ku shpreson të arrijë sa më larg.
“Jam i vetëdijshëm për këtë hap që kam ndërmarrë. Besoj se përmes Vëllazërimit do të mund të ec para në karrierën time, me shpresë se një ditë do të transferohem jashtë vendit, që njëherit është edhe piksynimi im kryesor” – tha Hamza Rahmani, i cili me përfaqësuesen U17 të Maqedonisë numëron më shumë se 10 ndeshje.
Rahmani edhe pse i ri në moshë, tashmë dy vite të plota stërvitej me ekipin e parë të FC Shkupit, për të cilën skuadër kishte debutuar me 16 vjet e 4 muaj. Ai me ekipin e parë nga Çairi numëron 3 ndeshje kampionale.