Debutimi i shumëpritur i Rei Manajt me Barcelonën në “La Liga” shtyhet për një ndeshje tjetër, pasi sulmuesi “kuqezi” ka ndjekur nga stoli të 90 minutat e sfidës së sotme të skuadrës së tij ndaj Getafes, ndaj së cilës në fund skuadra “katalunase” shënoi fitore 2:1.
Gjithçka u duk e thjeshtë në pjesën e parë për “katalunasit”, pasi krijuan raste dhe shënuan dy herë me anë të Grizman e Serxhi Roberto, duke lënë të mendohej se do të dominonin duelin. Por në pjesën e dytë Getafe u zgjua dhe rrezikoi seriozisht portën e Ter Shtegen, i cili ishte figura kryesore te Barcelona në këtë pjesë, me përjashtim të minutës së 66-të, kur Angel shënoi golin e vetëm për Getafen në këtë ndeshje.
Falë kësaj fitore, Barcelona barazohet me pikë me Realin e Madridit në pozitën e parë, që të dyja skuadrat me nga 52 pikë, derisa Getafe me 42 pikë mbetet në pozitën e tretë.