Sulmuesi 25-vjeçar Orhan Miftari karrierën e tij do ta vazhdojë në Tetovë te skuadra e Teteksit, njofton “infOSport.mk”. Miftari së fundmi ishte pjesë e Vardar Forinës në ligën e dytë – Perëndim, ndërsa do të jetë kjo hera e parë që do të luaj me fanellën e Teteksit, që aktualisht garon në Ligën e Tretë – Perëndim.
Ndryshimet e fundit te kjo skuadër kanë zgjuar apetitet e tyre për një rikthim në ligën e dytë, teksa stinorin vjeshtorë në ligën e tretë e mbyllën në pozitën e dytë me 26 pikë, 4 më pak se Besa e Dobërdollit.
Me përforcimet e bëra, drejtuesit e Teteksit besojnë se do i arrijnë objektivat, ndërsa besojnë fuqishëm edhe te sulmuesi shkupjan, Miftari, i cili gjatë karrierës së tij gjithashtu kishte luajtur edhe me Makedonija GJ.P dhe Goblenin në Maqedoni, teksa jashtë vendit kishte luajtur me Dardaninë e Llozanës dhe Vllazninë e Pozheranit, kur kjo skuadër garonte në Superligën e Kosovës.
Për këta të fundit Miftari në 12 ndeshje kishte realizuar 3 gola, ndërsa aftësitë e tij realizuese i kishte dëshmuar edhe me fanellën e Vardar Forinës, e ku nuk duhet harruar në asnjë rast atë “tripletë” të tij në ndeshjen vendimtare kundër Fortunës së Hasanbegut, kur ndihmoi skuadrën nga Gostivari që të ngjitet në Ligën e Dytë, ku edhe garon aktualisht në Konferencën e Perëndimit.
Golat nga fitorja historike e Vardar Forinës ndaj Fortunës (VIDEO)