Në kuadër të angazhimit për përmirësimin e kushteve në mbështetjen e sportit, federatave sportive, klubeve dhe sportistëve nëpërmjet masës vauçere për sport, me të cilat Qeveria bashkë me Agjencinë për Rini dhe Sport, i stimulon subjektet ekonomike që të gjejnë interesin personal për investime në sport, Kryeministri Spasovski dhe drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, lajmëruan fillimin e sistemit të vauçerëve për vitin 2020, me të cilin do të sigurohen 10 milionë euro për këtë qëllim.
“Duke u bazuar në eksperiencën e parë, këtë vit sistemin e vauçerëve për mbështetjen e sportit e fillojmë tani dhe i njëjti do të vazhdojë deri në fund të vitit 2020. Kjo na jep të drejtë që të jemi të bindur se këtë vit mjetet e projektuara nga 10 milionë euro shtesë për mbështetjen e sportit nga sistemi i vauçerëve, do të shfrytëzohet në tërësi”, tha Spasovski.
Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, theksoi se vauçeri sportiv, si burim shtesë për financimin e sportit dukshëm do të rritë nivelin e cilësisë dhe rrit fuqinë financiare të klubeve sportive.
“Këtë vit 43 Federata Kombëtare Sportive, 454 Klube sportive dhe 320 sportistë individual do të marrin mbështetje financiare shtesë, që ka rëndësi të madhe për zhvillimin dhe avancimin e tyre profesional”, tha Kaevski.
Në këtë sistem të mbështetjes së sportit, mjete financiare shtesë vijnë edhe nga subjektet afariste, të cilët në këtë mënyrë e realizojnë rolin e tyre si kompani përgjegjëse shoqërore.
Në harmonizim me mjetet e fundit të ndara, janë përfshirë pothuajse 1000 subjekte sportive dhe sportistë të cilët morën vauçerë dhe mbështetje nga Buxheti i shtetit.Procedura është e thjeshtë dhe pa procedura të komplikuara administrative, pa tatime plotësuese dhe probleme për kompanitë të cilat do të ndihmojnë. Gjegjësisht, kompanitë, një pjesë nga detyrimi i tyre për tatim të fitimit, në vend se t’ia paguajnë shtetit, do të kenë mundësi ta investojnë në klubet sportive apo sportistë.