Ndeshja e 26 marsit midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës po pritet me shumë padurim si nga ana e tifozëve në vendin tonë, ashtu edhe tek tifozët “dardan”, shkruan “infOSport.mk”.
Federata e Futbollit të Maqedonisë po bënë çmos që kjo ndeshje të kalojë në një atmosferë festive, ndërsa mësohet se gjatë ditës së zhvillimit të takimit në kryeqendrën tonë, do të ketë edhe policë nga Kosova.
Një gjë të tillë për mediat në Kosovë ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i cili ka pohuar se me Policinë e Maqedonisë është nënshkruar marrëveshje për ndeshjen futbollistike, që këtë ndeshje ta menaxhojnë së bashku.
Ai thotë se do të dërgojnë policë dhe patrolla të policëve të trafikut dhe ato patrulluese në qytetin e Shkupit ditën e 26 marsit, kur edhe zyrtarisht do të mësojmë se cila prej përfaqësuesve, Maqedonia e Veriut, apo Kosova do të kualifikohen për në finalen e madhe të Ligës “D” të Kombeve.