Agjencioni për Rini dhe Sport një kohë të gjatë u mundua në mënyra të ndryshme të mos pranonte faktin që Muamed Sejdini në mënyrë legjitie me 17 mars të vitit 2019 u zgjodh president i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, mirëpo si duket ngadalë edhe vetë dorëzohen para të vërtetes.
Në kushte kur për të dytin vit me radhë FFM-së i takonin vetëm zero denarë nga Agjencioni për Rini dhe Sport në ndarjen e vauçereve për klubet dhe federatat sportive, vetë drejtori i Agjencioni për Rini dhe Sport, Darko Kaeski para mediave ka thurur elozhe për Federatën e futbollit. Në fakt i pyetur se përse FFM është subjekti i vetëm sportiv që tashmë dy vite me radhë nuk përfiton asnjë denarë të vetëm nga mjetet e Qeverisë, Kaeski ka lavdëruar si shembull për tu ndjekur kreun e federetës të drejtuar nga Muamed Sejdini për faktin se pjesën e tyre të mjeteve e kanë falur për të shkuar në llogari të klubeve të futbollit.
“Vauçeri i cili ishte përcaktuar për FFM-në, është ndarë për të gjitha klubet e futbollit. Nga këtu dua të falenderoj FFM-në dhe të gjitha federatat tjera të cilët mendojnë për klubet e veta. Besoj që këtë shembull do ta ndjekin të gjitha federatat tjera dhe në këtë mënyrë të sigurojnë fonde shtesë për sportistët”, ka thënë Kaeski.
Qeveria në vit ndan 10 milionë euro për federatat dhe klubet e sportit.