Këtë fundjavë starton gjysmësezoni pranveror në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, me kampionët në fuqi të Shkëndijës që do të luajnë si mysafirë ndaj Akademia Pandevit në Strumicë.
Në këtë drejtim skuadra “kuqezi” është duke zhvilluar përgatitjet përfundimtare për sfidat pranverore, ku pavarësisht ngecjes prej 8 pikëve ndaj kampionëve të vjeshtës së Vardarit, shihen si pretendentë kryesor për titullin e kampionit.
Pas dy ditëve të lira që stafi teknik u kishte dhënë futbollistëve të Shkëndijës, pas kthimit nga Antalia, skuadra është kthyer të stërvitet në Tetovë, ku punohet në detajet e fundit tekniko-taktike.
Deri te sfida me Akademia Pandevin kuqezinjtë kanë në dispozicion edhe tre ditë për tu përgatitur sa më mirë për duelin hapës të gjysmësezonit pranveror.
Me këtë rast, të enjten nga ora 16:00 deri në orën 17:00 drejtëpërdrejtë në faqen zyrtare të KF Shkëndijës në “facebook”, trajneri Ernest Gjoka do të vihet në dispozicion të gjithë mbështetësve për tu përgjigjur pyetjeve të tyre në lidhje me skuadrën, fazën përgatitore dhe pritjet për në gjysmësezonin pranveror. Një risi kjo nga ana e skuadrës kampione që ndryshon nga të tjerat.