Mbrëmë në mesnatë edhe zyrtarisht u mbyll merkatoja e dimrit në futbollin vendor, ndërsa epitetin e skuadrës kampione kur janë në pyetje transferimet e futbollistëve të rinj, e mban skuadra e Ligës së Dytë – Perëndim, Vardari i Forinës, që ka arritur të transferojë plotë 14 futbollistë, 7 prej të cilëve vetëm në ditën e fundit, njofton “infOSport.mk”.
Drejtuesit e skuadrës nga Forina transferimet e këtij sezoni i kishin nisur nga porta, kur kishin arritur marrëveshje me portierin e FC Shkupit, Alban Miftari, për të vijuar më pas me mbrojtësin e Rabotniçkit, Borjan Panovski, futbollistin ofenziv të Struga Trim Lum, Gëzim Bakievski, mesfushorin difenziv të Skopjes, Erblin Daci, mesfushorin e Kukësit, Armend Çajani, futbollistin ofenziv të Ferizajit, Ylber Luma, atë të Vëllazërimit të Kërçovës, Fatih Jusufi, që më pas në ditën e fundit të merkatos të bëjnë për vete edhe dy talentët e Shkëndijës së Tetovës, Roni Sinani dhe Edis Spahiu, ish futbollistin e Vardarit të Shkupit, Ensar Sulejmani, që erdhi nga rradhët e Skopjes, pastaj Behram Jashari nga rradhët e Gostivarit, Ensar Baftijari nga KF Besa e Dobërdollit, Shefket Jashari nga Fortuna e Hasanbegut dhe Erkan Shaip, që erdhi nga rradhët e Maxhari Solidarnost.
Kujtojmë stinorin vjeshtorë skuadra e Vardarit të Forinës e mbylli në pozitën e 7-të me 18 pikë, po aq sa ka edhe Korabi në pozitën e 8-të, ashtu që këtë skuadër në pranverë do ta pret një luftë e zjarrtë për mbijetesë.