Njihuni me bodybilderin shkupjan, Alban Sali

Bodybilderi 21 vjeçar Alban Sali tashmë disa javë me rradhë po përgatitet për Kupën e Maqedonisë e ku do të marrë pjesë në kategorinë “Bodybuilding Junior” deri në moshën 23vjeçare, njofton “infOSport.mk”.

Ai po punon me mjaft përkushtim nën urdhërat e trajnerit të tij Ibrahim Vranovcit, një kampion absolut në Maqedoni, ndërsa për portalin tonë foli edhe për fillimet e tij me këtë sport.

“infOSport.mk”: Na tregoni rreth karrierës së juaj, si ka nisur e njëjta?

Alban SALI: “Me këtë sport merrem që 7 vite, d.m.th prej moshës 14 vjeçare, tani jam 21 vjeç. Dashuria për këtë sport ka bërë që unë edhe në mënyrë profesionale të filloj të stërvitem. Si çdo i ri, edhe unë pata filluar në shtëpi, duke improvizuar me gjëra të ndryshme. Stërvitesha për çdo ditë, ndërsa në fund kur shikohesha në pasqyrë gjithnjë e shihja veten të përmirësuar”.

“infOSport.mk”: Pse pikërisht me këtë sport?

Alban SALI: “Më pëlqen shumë si sport, ndërsa tashmë e kam bërë edhe profesion. Është i rëndë si sport, mirëpo mund të them se nuk mund të gjejë veten askund tjetër përveç Bodybuildingut”.

“infOSport.mk”: Na flisni për garën e prillit, për çfarë gare bëhet fjalë dhe sa jeni i përgatitur?

Alban SALI: “Tash kom fillu edhe përgaditjet për garat ndërkombëtare në bodybuilding që organizohen nga BBFM për Kupën e Maqedonisë. Aty do marrë pjesë për herë të dytë, herën e parë që kam marrë pjesë kam qenë vetëm19 vjeç. Edhe pse atë kohë duheshe të konkurojë me bashkëmoshatarët e mi, juria në moment të fundit vendosi që të bëjë gara me garues që ishin edhe 4 vjeç më të vjetër se unë. Aty u pata renditur si i 6-ti, mirëpo kjo nuk më ka dëmtuar mua, përkundrazi më ka motivuar edhe më shumë dhe më ka dhënë vullnet që të përmirësohem edhe më shumë, ashtu që me 25 prill do jem 100% në formen më të mirë dhe do marrë pjesë në kategorinë ‘Bodybuilding Junior’ deri në moshën 23 vjeç”.

“infOSport.mk”: Kush qëndron pas jush, kur janë në pyetje stërvitjet dhe përgatitjet për këtë garë?

Alban SALI: “Një falemenderim i veçantë shkon për trajnerin tim Ibrahim Vranovci, i cili është një kampion absolut në Maqedoni. Ai më ka ndihmuar shumë rreth dietës, suplmenteve dhe stërvitjeve, përmes të cilave unë kam arritur këtu ku jam sot”.

 

 

Leave a Reply