Këshilli për çështje emergjente i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur mbledhje dhe ka analizuar dhe shqyrtuar pjesëmarrjen e ekipit përfaqësues të futsallit në ndeshjet para kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2022-të, që u mbajëtn në Gjeorgji. Pas së njëjtës i njëjti kishte konstatuar se ekipi përfaqësues kosovar nuk pati rezultate të mira, duke mos arritur të përmbush objektivat e saj për kualifikim për “Elite Round”.
Po ashtu Këshilli për çështje emergjente ka analizuar me kujdes edhe paraqitjet individuale dhe sjelljet e lojtarëve në këto ndeshje, duke konstatuar se sjellja e disa prej tyre nuk ishte në nivelin e duhur përfaqësues, ngase bartja dhe mbrojtja e fanellës së ekipit kombëtarë të Kosovës janë detyra dhe obligime të shenjta për secilin lojtarë, që kërkon sjellje dinjitoze jo vetëm në lojë por edhe jashtë lojës.
Kështu që emrat, si Oso Gjinovci, Bajram Ramdani dhe Dardan Topilla, gjatë udhëtimit për Gjeorgji kanë pasur sjellje që nuk përkojnë me Rregullat e etikës së një lojtari përfaqësues, ndaj Këshilli për çështje emergjente ka marrë vendim për përjashtimin e tyre nga ekipi kombëtar.
Këshilli për çështje emergjente beson se kjo masë do të ndikojë tek këta lojtarë dhe tek të tjerët që të kenë kujdes, kur veshin fanellën e ekipit përfaqësues dhe mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës, njofton Këshilli për Çështje Emergjente i FFK-së.