Mario Mitaj, talenti i Kombëtares U17 të Shqipërisë, i cili mban edhe shiritin e kapitenit në radhët e saj, bëhet gati për hapin e madh të karrierës së tij.
Ndonëse vetëm 16-vjeçar, djaloshi shqiptar ka tërhequr vëmendjen e një prej klubeve më të njohura në Holandë, Fejenord, i cili ka një akademi shumë prestigjioze që ka prodhuar në vite shumë yje të futbollit botëror.
Mitaj, aktualisht pjesë e U17 të AEK-ut të Athinës, është monitoruar nga drejtues të akademisë së Fejenord, e cila ka gjetur një akord me klubin grek për të mundësuar kalimin e djaloshit shqiptar në Holandë.
Kështu, ai do të jetë edhe për një muaj pjesë e AEK e më pas do të udhëtojë drejt Holandës, ku në ditët e para të marsit do të nisë zyrtarisht aventurën e tij te Fejenord.
Konfirmimi është bërë zyrtar nga vetë klubi grek i cili e ka vlerësuar si një arritje të madhe kalimin e një lojtari të akademisë së vet te Fejenord, që ka famë në të gjithë botën. Sigurisht që ky është një hap i rëndësishëm edhe për mesfushorin shqiptar, i cili do të ketë mundësinë që të përgatitet e rritet në kushte shumë më cilësore me shpresën që të bëhet një emër i njohur i futbollit botëror.