Vardar Forina ka zyrtarizuar edhe afrimin e 6-të gjatë afatit kalimtarë të dimrit dhe sërish bëhet fjalë për një futbollistë shkupjan, njofton “infOSport.mk”.
Është Erblin Daci, shkupjani i rradhës që i është bashkuar skuadrës nga Gostivari në këtë afat kalimtarë, pas portierit të FC Shkupit, Alban Miftari, mbrojtësit të Rabotniçkit, Borjan Panovski, futbollistit ofenziv të Struga Trim Lum, Gëzim Bakievski dhe mesfushorit Armend Çajani, i cili u rikthye sërish te Vardari i Forinës, që në pjesën e dytë të kampionatit në Ligën e Dytë – Perëndim do të ketë për qëllim mbijetesën.
Ndryshe drejtuesit e kësaj skuadre përveç 5 futbollistëve shkupjan kanë angazhuar edhe tetovarin, Ylber Luma, i cili u rikthye në futbollin vendor nga kampionati elitar i Kosovës, nga rradhët e Ferizajit.
Sa i përket përforcimit të fundit, Erblin Daci, ky i fundit Vardar Forinës i bashkohet nga skuadra e Skopje, që gjithashtu garon në Ligën e Dytë – Perëndim.
Ndryshe Erblini është vëllai më i vogël i Erdon Dacit, që luan në Superligën turke te Konjaspor, ndërsa si shumica e shkupjanëve, edhe Erblini karrierën e tij e kishte nisur te FC Shkupi nga Çairi, duke kaluar në të gjitha grupmoshat.