Reprezentuesi i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë, Arijan Ademi ka vendosur të rinovojë kontratën me Dinamo Zagrebin, duke zgjatur bashkëpunimin me kampionët e Kroacisë edhe për pesë vitet e ardhëshme.
Edhe pse flitej për një largim të kapitenit të Dinamos, me disa opsione shumë tërheqëse si destinacion i mundshëm për të ardhmen e tij, megjithatë shqiptari vendosi të qëndrojë aty ku tashmë vite me rradhë është shndërruar në një prej futbollistëve kryesorë të ekipit.
“Kam menduar të largohem, por në një moment kam parë se nuk është ajo rruga e duhur për mua dhe nuk është ajo çka unë dua në jetë. Jam menduar mirë dhe kam vendosur të qëndroj. Me këtë rast kërkoj ndjesë trajnerit Jurçiç me të cilin fola për t’iu bashkuar në klubin ku punon. Dua të qëndroj këtu deri në fund të karrierës, vetëm nëse nuk del ndonjë ofertë prej ndonjë skuadre prej Top 5 Ligave më të mira në Europë. Këtu ndjehem mirë, kam fituar tituj, kam luajtur në Ligën e Kampionëve dhe me ambicie të këtilla do të vazhdoj edhe më tej”, është shprehur Arijan Ademi.
Me këtë rast kampionët e Kroacisë kanë dizajnuar një fanellë të veçantë të personalizuar të Ademit dhe si ‘limited edition’ me vetëm 199 të tilla do të shiten përmes fan shopit të Dinamo Zagrebit.