Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të përdorë sistemin VAR në Shqipëri, por nuk do të jetë për “përdorim të gjerë” dhe i kufizuar të paktën në fillimet e tij, duke rrezikuar seriozisht që të prishë garën. Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, ka zbuluar se për shkak të kostos së lartë dhe gjendjes së impianteve, zbatimi i teknologjisë në futboll në Shqipëri nga viti 2021, nuk do të jetë në të gjitha stadiumet.
“VAR do të vihet në zbatim në Shqipëri nga sezoni 2021-2022. Ekspertët e FIFA-s do të vijnë në Shqipëri në mars për seminarin e parë të tij me gjyqtarët shqiptarë. Ne mendojmë që në fillim të përdoret vetëm në një ndeshje, se ka kosto të lartë dhe kërkon kushte. Një ndeshje e kampionatit mund të vëzhgohet me VAR çdo javë. Pastaj do të jetë në dorën e Ligës së Futbollit apo të FSHF të përballojë kostot e saj të mëtejshme”, – shpjegoi Jareci në emisionin “Presing”.
Monitorimi i vetëm një ndeshje me sistemin VAR mund të ndikojë drejtpërdrejt në garë, pasi çdo javë do të ketë një çift skuadrash që do të ketë më pak shanse të dëmtohet nga arbitrat, ndërsa do të ketë të tjerat të cilat mund të vuajnë ashtu siç ka ndodhur javët e fundit në Superiore me gabime të cilat ndikojnë direkt në klasifikimin e kampionatit.
Përveç kësaj, ky sistem nuk mund të instalohet e operojë normalisht në të gjitha impiantet, pasi disa nuk garantojë kushte për kamerat. Kështu, disa skuadra do të jenë të paragjykuara që në start pasi në fushën e tyre nuk mund të monitorohen me VAR, që ka një kosto relativisht të lartë për instalimin e mirëmbajtjen apo funksionimin.
Në fakt, koston e instalimit të sistemit VAR në Shqipëri si fillim nuk do ta mbulojë FSHF, por FIFA. Kjo e fundit ka vendosur që të gjitha ndeshjet e kualifikuesve të Botërorit të monitorohen me këtë sistem për të shmangur probleme e kësisoj, në stadiumin shqiptar ku do të luhen këto kualifikuese, “Air Albania”, do të instalohet ky sistem.