Dita e fundit e merkatos në kampionatet kryesore në Europë do të shohë në lëvizje edhe disa emra të njohur të cilët janë pjesë e përfaqësueses shqiptare apo që do të bëhen pjesë e rëndësishme e saj në të ardhmen.
I pari është Florian Kamberi, i cili pret që të kryejë sot vizitat mjekësore dhe të huazohet me të drejtë blerje nga Hibernian te Gllazgou Renxhers, ku Stiven Xherard e kërkon si alternativë kryesore për sulmin e skuadrës së tij.
Padyshim në lëvizje do të jetë edhe Frederik Veseli, për të cilin nuk i mungojnë ofertat nga “Serie B”, me Salernitanën, Kremonezen e Trapanin që kanë kërkuar informacione rreth tij. Huazim deri në fund të sezonit apo blerje përfundimtare, kjo mbetet për t’u parë. Por e sigurt është që shkurti do ta gjejë Veselin larg Empolit, e ndoshta edhe larg Italisë duke llogaritur këtu edhe ofertat turke.
Keidi Bare gjithashtu është në epiqendër të merkatos në Spanjë, pasi nga ai varet fati i Malagas. Nëse klubi shet kartonin e mesfushorit, do të siguronte qëndrimin për La Liga 2, duke evituar kolapsin financiar për shkak të detyrimeve të prapambetura. Megjithatë, ekziston opsioni që Bare të firmosë për një klub tjetër, me shumë mundësi Getafe, por të qëndrojë në huazim te Malaga deri në mbyllje të këtij edicioni.
Si Bare, i transferuar por pa ndryshuar skuadër deri në qershor, mund të jetë edhe Marash Kumbulla, për të cilin Napoli insiston që të firmosë gjithçka që sot. Edhe pse lojtari ka kërkuar kohë për të vendosur të ardhmen, “napolitanët” nuk duken të gatshëm të presin deri në verë dhe kanë bërë një lëvizje të fundit për ta bindur që sot të hedhë firmën në kontratë e të largohet nga Verona në verë. (vipsport)