Braziliani Marselo mbrëmë në ndeshjen e Kupës ndaj Zaragozës, ka regjistruar paraqitjen e tij të 500-të me fanellën e Realit të Madridit.
Me këtë rast numri një i Realit të Madridit, Florentino Perez i dhuroi brazilianit një fanellë përkujtimore për të shënuar këtë arritje të mbrojtësit brazilian.
Marselo tani është vetëm 27 ndeshje më pak se totali i Roberto Karlos për klubin, me këtë të fundit që është lojtari i huaj me më shumë paraqitje në historinë e Real Madridit.
Marselo zbarkoi në Madrid janarin e vitit 2007 si një mbrojtës i majtë, ndërsa tani është zëvendës-kapiten dhe një nga lojtarët kryesor në dhomën e zhveshjes.
Ai me Realin numëron gjithsej 19 trofe, 4 prej të cilëve në Ligën e Kampionëve, 4 në kuadër të Kupës së Botës për Klube, tre Superkupa Evropiane, katër tituj të La Ligas, dy trofe të Copa del Rey dhe dy Supekupa të Spanjës.
Në 500 ndeshjet e tij, Marcelo ka fituar 345 ndeshje dhe ka shënuar 36 herë për Mbretërit.
Nga ato 500 paraqitje, 350 kanë ardhur në La Liga, 97 në Ligën e Kampionëve, 32 në Copa del Rey, 8 në Kupën e Botës për Klube, 9 në Supekupën e Spanjës dhe 4 në Superkupën e Europës.
Kontributi i Marselos është zvogëluar këtë sezon, por pavarësisht se nuk ishte në të mirë të tij, qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar.
Ai gjatë sezonit aktual numëron gjithsej 14 paraqitje, 7 prej të cilëve në La Liga, 4 në Ligën e Kampionëve, 2 në kuadër të Copa Del Rey dhe 1 në kuadër të SuperKupës së Spanjës.