Ish mbrojtësi i kombëtares së Brazilit, Lusio, i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist aktiv. 41-vjeçari i cili me “kariokët” në vitin 2002 ishte shpallur kampion Bote, teksa me Interin në vitin 2010 kishte fituar Ligën e Kampionëve, në dy edicionet e fundit ishte pjesë e skuadrës braziliane të Brazilienze.
Si i ri Lusio luante si sulmues, mirëpo me depërtimin e tij në futbollin profesionist gjatë vitit 1997, ai vendosi të luaj si mbrojtës me ekipin e Internacional.
Gjatë vitit 2001 ai kaloi në Bundesligë, duke nënshkruar me ekipin e Bajer Leverkusen, që më pas të jetë pjesë edhe e skuadrave si Bajern Munih, Inter dhe Juventus, ndërsa gjatë vitit 2013-të u rikthye në vendlindje te skuadra e Sap Paulo.
Pas këtij transferimi ai gjithashtu mbrojti ngjyrat edhe të Palmeiras, skuadrës indiane të Goa, Gama dhe Brazilienze.
Përveç Kupës së Botës me Brazilin dhe Ligës së Kampionëve me Interin, ai dy herë kishte fituar Kupën e Konfederatave, 3 tituj kampion në Gjermani, 3 herë Kupën e Gjermanisë, dy herë Liga Kupën e Gjermanisë, titullin e kampionit në Itali, dy herë Kupën e Italisë, dy herë Super Kupën e Italisë dhe Kupën e Botës për Klube.