Beshiktashi nuk po kalon aspak momente të mira këtë edicion në Superligën e Turqisë, ndërsa kjo solli edhe deri te shkarkimi i trajnerit Avçi Abdullah, njofton “infOSport.mk”.
Vendin e tij do ta zë një emër i njohur për futbollin turk, Sergen Jalçën, i cili në të kaluarën kishte mbajtur veshur fanellën e Beshiktashit, ndërsa në sezonin 1999/2000, emri i tij kishte bërë shumë bujë edhe në futbollin tonë vendor, pasi i njëjti ishte transferuar te skuadra e FC Shkupit, ish Sloga Jugomagnatit.
Atë kohë Sergen Jalçën pasi kishte ndërprerë fillimisht kontratën me Fenerbahçen, ishte vendosur ti bashkohet skuadrës së Siirt Jetpa, mirëpo në marrëveshje kishte klauzolë, sipas së cilës ai nuk mund të kalonte në ndonjë skuadër tjetër turke. Kësisoj ai zgjodhi të transferohet te skuadra “bardheblu” nga Çairi, mirëpo duke mos luajtur asnjë ndeshje ai në fillim të vitit 2000 bëri një transferim të bujshëm te skuadra gjigande e Galatasarajit.
Kështu emri i tij u regjistrua si pjesë e Slloga Jugomagnatit, mirëpo vetëm në letër, ndërsa i njëjti prej të mërkurën edhe zyrtarisht morri drejtimin e një ndër skuadrave më të njohura në futbollin turk, Beshiktashin, pjesë e së cilës si futbollistë ishte në dy periudha të ndryshme.
Ai pikërisht te kjo skuadër e kishte nisur karrierën, kur verën e vitit 1991 nga ekipi i të rinjëve iu bashkua ekipit të parë të Beshiktashit, duke luajtur për 6 vite të plota, ndërsa herën e dytë që kishte veshur fanellën e kësaj skuadre si futbollistë, ishte periudha 2002-2006, që më pas në vitin 2009 të mbyll karrierën e tij të bujshme me skuadrën e Eskishehirspor, transmeton “infOSport.mk”.
Te Beshiktashi, mirëpo tek grupmoshat e reja, Jalçën kishte nisur edhe karrierën prej trajneri, për të vijuar më pas me skuadrat seniore, si Gaziantepsor (19 ndeshje), Sivaspor (38), Kajserispor (17), Eskishehirspor (6), Konjaspor (10), Alanijaspor (24) dhe Malatijaspor (21).
Ai në Superligën turke si trajner numëron 135 ndeshje, prej të cilave në 49 ka dalë si fitues, në 40 ndeshje kishte barazuar me skuadrat e tij, ndërsa në 46 raste kishte dalë si humbës.
Mbetet të shihet nëse i njëjti te Beshiktashi do të arrijë të përmirësojë gjendjen aktuale dhe të mbjellë atë mentalitet fituesi, që në vitin 2020 po i mungon skuadrës nga “Vodafone Arena”. Ata në 4 ndeshje zyrtare kanë pësuar po aq disfata, dy në kampionat dhe dy në kuadër të Kupës së Turqisë, disfata këto që edhe përfundimisht sollën deri te shkarkimi i Avçi Abdullah.
Sergen Jalçën ekipin e parë të Beshiktashit do ta udhëheq për herë të parë në karrierën e tij, ndërsa debutimin në stolin e “Shqiponjave të Zeza” do ta ketë me 1 shkurt në transfertën ndaj Rizespor.