Fantazisti tetovar tashmë një muaj është bashkuar me skuadrën e tij të re HJK Helsinkin dhe bashkë me grupin në kryeqendrën e Finlandës vazhdon me intensitet të plotë fazën përgatitore. Ndërkohë, derisa ekipi bën punën e vet në seancat stërvitore, drejtuesit e klubit paralel fokusohen në ngritjen e klubit në të gjitha sektoret, përfshi marketingun si një prej segmentet më të rëndësishme prej ku mbulohet një pjesë e konsiderueshme e buxhetit vjetor.
Së fundmi HJK Helsinki ka bërë riemërimin e stadiumit të tyre. Emri i mëparshëm komercial “Telia G Arena” tashmë përcillet në histori, pasi drejtuesit kanë gjetur akord me një tjetër kompani dhe tashmë zyrtarisht stadiumi emërohet “BOLT ARENA”, ndërsa “BOLT” do të qëndrojë edhe në pjesën e përparme të fanellave të HJK Helsinkit në sezonin e ri. Gjithë këtë ndryshim, finlandezët e kanë shënuar përmes një eventi, në të cilin janë përfshirë futbollistët e ri në skuadër, mes cilëve edhe Ferhan Hasani.
“Emra të rinjë futbollistësh dhe emër i ri për stadiumin. Mirësevini në Bolt Arena”, shkruan në postimin e HJK Helsinkit.
“Më vjen mirë që me ardhjen time këtu po shoh se ndodhin risi në klub dhe përveç pjesës komerciale është e qartë se drejtuesit punojnë mirë edhe në pjesën e marketingut. E përsëris se jam i lumtur që jam këtu, më kanë pritur shumë mirë në skuadër, po punojmë shumë mirë dhe besoj se kemi gjitha parakushtet për sezon të suksesshëm”, është shprehur Ferhan Hasani.