Ferizaji vazhdon përgatitjet për stinorin pranveror, ndërsa paralelisht drejtuesit e klubit po punojnë edhe në përforcimin e skuadrës për pjesën e dytë të kampionatit në elitën e futbollit të Kosovës, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e udhëhequr nga trajneri Bekim Isufi tashmë edhe zyrtarisht ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të krahut të djathtë të FC Shkupit, Filip Stojanovski, i cili ditë më parë vetëm pas 6 muajve qëndrim te skuadra nga Çairi, vendosi të kërkojë një sfidë të re.
“Po kam nënshkruar deri në verë me Ferizajin. Ajo që më bindi të pranojë të jem pjesë e tyre, ishin kushtet e mira që më ofruan. Gjithashtu më interesonte liga e Kosovës, doja të shihja se si është këtu. Shpresojë se do të jetë gjithçka mirë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Filip Stojanovski, i cili FC Shkupit iu bashkua korrikun e vitit 2019-të.
Ai me fanellën e skuadrës nga Çairi zhvilloi 13 ndeshje gjatë stinorit vjeshtorë, ndërsa edhe pse vetëm 23-vjeçar do të jetë kjo aventura e tij e tretë jashtë vendit, pas asaj me Apoloninë e Fierit në sezonin 2016/2017 dhe me skjuadrën serbe të Radniçki Pirot në 6 muajt e para të vitit 2018-të.
Ndryshe karrierën e tij Stojanovski e kishte nisur te Vardari, ndërsa në Maqedoni përveç me FC Shkupin dhe Makedonija GJ.P, kishte luajtur edhe me ekipin e Ljubanci.