Tifozët e sporteve luftarake viteve të fundit po janë dëshmitarë të sfidave shumë të forta. Ishte viti 2017-të, kur Flojd Majvedhër doli përballë irlandezit Konor MekGregor, dhe ishte amerikani ai i cili nuk e diskutoi fitoren për asnjë moment. Konor doli sërish në skenë, kësaj rradhe në oktagon në garat e UFC-së, kur vendosi që të përballet me dagestanezin, Khabib Nurmagomedov, dhe sërish u mposhtë. Kjo luftë u diskutua edhe gjatë kohë, jo vetëm për shkak fitores së madhe të Nurmagomedov, por edhe për incidentin që ndodhi pas meçit.
Irlandezi është ai që dëshiron të ketë një rimeç me luftëtarin 31-vjeçar nga Dagestani, mirëpo ky i fundit si duket dëshiron të provojë veten ndaj boksierit të pamposhtur amerikan, Flojd Majvedhër.
Një luftë e tillë pa dyshim se do të sillte fitimin e miliona dollarëve nga boksierët, teksa babai i Khabib, njëkohësisht edhe trajneri i tij, Abdulmanap, tregon kushtin e tij në një prononcim për agjencinë ruse “TASS”.
“Tani po mendojmë për Toni Ferguson, ndërsa pas 6 muajsh do të kemi Lomaçenkon. Pas asaj lufte mund të mendojmë për diçka të tillë. Majvedhër është boksieri më i mirë, ka 50 fitore dhe asnjë humbje. Patjetër që dëshiron të sfidojë një tjetër kampion të pamposhtur si Khabibi. Por ka një kusht, duam që sfida në 12 raunde të ketë 11 prej tyre në boks tradicional dhe vetëm një sipas rregullave të UFC“, – thekson babai i Khabib.