Interi ka zyrtarizuar afrimin e radhës, duke përforcuar krahun e djathtë me futbollistin e Çelzit, Viktor Moses. Ky i fundit te “zikaltërit” do të luaj në formë huazimi deri në fund të sezonit aktual, me të drejtë blerje nga “neroaxurrët”.
Moses bëhet kështu nigeriani i tetë që do të veshë fanellën e Interit, ndërsa i njëjti në fjalët e tij të para si “zikaltër” tha se ndjehet i lumtur për aventurën e re dhe ritakimin me Antonio Konte, me të cilin në vitin 2017-të ishin shpallur kampion të Anglisë me Çelzin.
“Është nder i madh për mua të jem lojtar i Interit. I falënderoj të gjithë për mikpritjen dhe mezi po pres të nis këtë aventurë. Fakti që do të punoj sërish me Conten është një mundësi që më bën shumë të lumtur. Kemi biseduar dhe më ka shpjeguar projektin e klubit. Jam i lumtur që ndodhem këtu. Do të jap maksimumin dhe dua të ndihmoj skuadrën. Ekipi ka shumë cilësi, dua të jap kontributin tim dhe të zbavitem në fushë. Kjo është gjëja më e rëndësishme“, – ka thënë Moses, i cili së fundmi në formë huazimi luajti te skuadra e Fenerbahçes në Superligën turke.
29-vjeçari Moses ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave të Anglisë dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Anglisë U17 në Europianin e zhvilluar në vitin 2007.
Megjithatë i njëjti në vitin 2012-të ndryshoi mendje, duke vendosur që të përfaqësojë Nigerinë, vendin e tij të origjinës.
Në 38 ndeshje me këtë kombëtare, Moses numëron 12 gola të shënuar.