Merkatoja e janarit mund të sigurojë një transferim të madh për skuadrën e Kaljarit. Sipas asaj që shkruan “Sky Sport Italia”, skuadra nga Sardinia është shumë afër marrëveshjes me Juventusin, për nënshkrimin e kroatit, Marko Pjaca, i cili asessi nuk mund të gjejë një vend në formacionin e skuadrës kampione të Italisë.
24 vjeçari iu bashkua Juventusit në vitin 2016, por me “Zonjën e Vjetër” regjistroi vetëm 21 paraqitje. Pjesën më të madhe ai e kaloi si i huazuar, fillimisht në Gjermani te Shalke, e më pas edhe në Itali te Fiorentina.
Reprezentuesi kroat ka pasur telashe edhe me lëndimet gjatë sezoneve të fundit, dhe ai tashmë synon një start të ri me ekipin e Kaljarit.