Lojtari brazilian Lukas Kardoso është rikthyer te Partizani nga huazimi 6 mujor te Drita e Gjilanit, aty ku trajner kishte shkupjanin, Ardian Nuhiu. Megjithatë Kardoso pritet që sërish të huazohet nga ana e drejtuesve të Partizanit, me qëllim që i njëjti të grumbullojë akoma më shumë minuta në këmbët e tij.
Ish futbollisti i Pelisterit në një prononcim për “infOSport.mk”, pranoi se ishte në bisedime me ekipin e Makedonija GJ.P., duke treguar edhe arsyen e dështimit të tyre.
“Isha në bisedime me Makedonija GJ.P, mirëpo të njëjtat dështuan. Ata dëshironin që të ju bashkëngjitem menjëherë, mirëpo bisedimet zgjatën më shumë dhe na morën kohë. Tani jam në kërkim të një skuadre të re. Jemi në bisedime me një skuadër nga Shqipëria, mirëpo rreth kësaj çështje po merren drejtuesit e e Partizanit” – u shpreh braziliani Lukas Fereira Kardoso.
Ky i fundit me skuadrën kampione të Shqipërisë ka kontratë deri verën e vitit 2020, ndërsa kujtojmë se në futbollin tonë vendor erdhi korrikun e vitit 2016-të, kur vendosi ti bashkohej Pelisterit, pjesë e së cilës skuadër ishte deri janarin e vitit 2018-të. Kardoso që në sezonin e tij të parë me fanellën e Pelisterit në 29 ndeshje realizoi 11 gola, ndërsa në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut numëron 44 ndeshje dhe 17 gola.