FC Shkupi tashmë disa ditë po vijon përgatitjet për stinorin pranveror, ndërsa trajneri Qatip Osmani, ende nuk mund të llogarisë në të gjithë futbollistët, kjo pasi në stërvitjet e deritanishme po mungon dyshja braziliane, Serxhio dhe Tulio, njofton “infOSport.mk”.
Pikërisht këta dy pritet ti bashkohen skuadrës të enjten, kur edhe Osmani do të ketë ekipin e kompletuar, para se të niset për në Antalia të Turqisë, aty ku skuadra nga Çairi do të zhvillojë edhe fazën e dytë të përgatitjeve.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme me skuadrën “bardheblu” u bashkua sulmuesi Marin Jurina, i cili mënjehërë u vu nën urdhërat e kryetrajnerit Osmani.
Kujtojmë ekspedita e FC Shkupit drejt tokës turke pritet të udhëtojë me 23 janar, ndërsa këtyre ditëve stërvitjet kjo skuadër po i kryen në terrenet pranë FFM-së, aty ku bashkë me skuadrën po stërvitet edhe përforcimi i vetëm deri në këto momente, Jakup Berisha.