Atë që e ndan politika për shumë arsye, futbolli përpiqet ta bashkojë dhe diçka ka filluar të lëviz.
Bëhet fjalë për shqiptarët, ato të Shqipërisë dhe Kosovës të cilët nëpërmjet lojës më të bukur në botë, do të kenë mundësinë të garojnë së bashku për një trofe të vetëm, kupën që organizatorët vendosën ta quajnë Kupa Nënë Tereza… Në këtë kupë do të marrë pjesë Kategorisë Superiore, Kategoria e Parë dhe Kategoria e Dytë e të dyja vendeve tona, ka raportuar sot “Top Channel”.
Aktualisht Kategoritë Superiore e Shqipërisë ka 10 ekipe dhe Kosovës 12 ekipe. Kategoria e Parë e Shqipërisë ka aktualisht 20 ekipe dhe kategoria e Parë e Kosovës ka 16 ekipe. Kategoria e Dytë e Shqipërisë ka aktualisht 26 ekipe, ndërsa e Kosovës 16 ekipe.
Po si do të funksionojë kjo kupë, një shtrirje kaq e madhe gjeografike dhe sportive, që do të ketë si synim veç garës sportive edhe njohjen shqiptarëve nga të dyja anët e kufijve me qytetet, historinë dhe gjithçka që na bashkon më shumë se na ndan.
22 ekipet e Kategorisë Superiore të Shqipërisë dhe Kosovës do të kalojnë direkt ne fazën 1/32, pra në fazën finale te aktivitetit, ndërsa rreth 80 ekipet e Kategorive te Para dhe të Dyta, të luajnë midis tyre me sistem vajtje ardhje, me short të lirë duke nxjerrë në fund 10 ekipe të tjera që do u bashkohen ekipeve të Kategorive Superiore.
Vetëm Faza e parë eliminatore do të zhvillojë 140 ndeshje, ndërkohë që deri në finalen e madhe do të luhen 201 ndeshje.
Secila skuadër nga kategoria e parë dhe e dytë apo superiore, do të zhvillojnë takimet në stadiumet e tyre respektive, me qëllim njohjen e lojtarëve dhe tifozëve me trevat shqiptare.
Sipas projekt idesë periudha e zhvillimit të fazës së parë janë parashikuar muajt mars-qershor 2020.
Vetëm data mbetet për t’u përcaktuar për fillimin e këtij aktiviteti mbar shqiptarë, i cili trofeun e madh me shumë mundësi do ta ngre pikërisht në “Air Albania Stadium”.