Nexhmi Rexhepi ditë më parë edhe zyrtarisht iu bashkua skuadrës së Pelisterit, drejtuesit e së cilës e prezantuan vetëm gjatë ditës së djeshme, kur edhe zyrtarisht filluan përgatitjet për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”. Futbollisti prespam ndjehet i lumtur që pas eksperiencës me Labunishtin, pjesë e së cilës ishte për dy vite e gjysmë, tashmë rikthehet në klubin amë, aty ku edhe bëri hapat e parë me futbollin.
“Ndjenjat janë pozitive, të luash në një klub si Pelisteri me traditë të madhe në futbollin vendor, është vërtetë kënaqësi, pasi rikthehem te klubi ku i nisa hapat e parë të karieres sime” – tha fillimisht Nexhmi Rexhepi, i cili foli edhe për ambiciet e klubit nga Manastiri, duke potencuar se pikërisht kjo ka shtyrë që të rikthehet në qytetin e alafabetit shqip.
“Ambiciet e klubit janë për tu rikthyer në ligën e parë dhe kjo ishte një ndër arsyet, mirëpo gjithashtu ata më besuan edhe për shkak të përvojës vitet e fundit te Labunishti, por edhe përvoja që kisha me ekipet e të rinjëve të Pelisterit” – deklaoi Rexhepi, i cili te Pelisteri do të bashkohet me futbollistin tjetër shqiptarë, Ysni Ismaili.
Ndryshe përveç Rexhepit, Pelisteri njoftoi edhe për transferimin e Aleksander Borha Kordoba nga Rabotniçki, Bllagoja Spirkoskit nga Popbeda dhe Dimitar Ivanov nga Sileksi. Ndërkohë nga kjo skuadër janë larguar Aleksandar Nedanoski, Mirko Simjanovski dhe Ive Trifunovski.
Foto: gol.mk