“Endërroj të jem trajner i Barcelonës, mirëpo për momentin jam i fokusuar për të punuar te skuadra e Al Sad”. Kështu e ka komentuar interesimin e klubit të tij të zemrës legjenda “katalunase”, Çavi Hernandez, emri i të cilit lidhet me postin e trajnerit te Barcelona.
Për ndryshimin e trajnerit te skuadra kampione në fuqi e Spanjës po flitet me të madhe ditëve të fundit, teksa në Spanjë thonë se ditët e Ernesto Valdverdes në postin e trajnerit te skuadra nga “Kamp Nou” janë të numëruara.
Gjatë ditës së sotme Çavi me skuadrën e tij, Al Sad arritën që të kualifikohen në finalen e Kupës së Katarit, pas fitores ndaj Al Rajan.
Pas përfundimit të këtij takimi, spanjolli Hernandez u paraqit në konferencën për shtyp, ku foli edhe për takimin me përfaqësuesit e Barcelonës, Erik Abidal dhe Oskar Grau.
“U takova me Abidal, pasi jemi miq. Nuk mund të flas më shumë për Barcelonën për shkak respektit që kam ndaj klubit dhe Ernesto Valverdes” – u shpreh Çavi, duke ju ikur kështu shumë pyetjeve që kishin të bëjnë me Barcelonën dhe të ardhmen e tij me këtë klub.
Ndërkohë mediat në Spanjë bëjnë me dije se ditëve në vijim drejt Katarit do të udhëtojë edhe numri një i Barcelonës, Josep Bartomeu, i cili personalisht do të tentojë për ta bindur Çavin për të marrë timonin e skuadrës “katalunase”.