Para ndeshjes bamirëse që do ndihmojë të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, ish-futbollistët, yjet e së shkuarës së kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë prekën nga afër vuajtjet dhe dhimbjen që shkaktoi kjo tragjedi natyrore.
Vizita e tyre e parë ishte në Bubq. Në fillim u ndalën në qendrën vullnetare që prej më shumë se 40 ditësh u vjen në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti.
Më pas, delegacionet panë nga afër disa prej shtëpive të shpallura të pabanuara, ku për së afërmi u njohën me vështirësitë që përballen njerëzit atje.
Pas Bubqit, delegacionet e katër kombëtareve vizituan edhe Thumanën, e cila ishte dhe një nga zonat më të prekura të tërmetit të 26 nëntorit, ku si pasojë humbën jetën 51 persona.
Rikujtojmë në mesin e yjve të Kombëtares së Shqipërisë janë edhe dy futbollistët nga Maqedonia e Veriut, Artim Shaqiri dhe Nderim Nexhipi, të cilët sonte me fillim në ora 18:30 bashkë edhe me yjet tjerë “kuqezinj”, si Igli Tare, Foto Strakosha, Besnik Hasi, Altin Lala, Ervin Skela, Erjon Bogdani, Alban Bushi etj, do të zbresin në fushë për tu përballur me ish yjet e Italisë, Turqisë dhe Greqisë, e ku në mesin e tyre spikasin emrat, si Xhianluka Zambrota, Simone Perota, Zakardo, Kimenti (Itali), Rushtu Reçber, Mehmet Aurelio, Hamit Altintop (Turqi), Karagunis, Gekas (Greqi).