Korabi ende nuk ka nisur përgatitjet për stinorin pranveror, ndërsa një gjë të tillë kanë paraparë të bëjnë me datë 15 janar, e deri atëherë drejtuesit e kësaj skuadre pritet të emërojnë edhe trajnerin e ri, që do të udhëheq skuadrën dibrane në pjesën e dytë të kampionatit në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Siç ju kemi njoftuar ditë më parë, Berat Imeri, u largua nga posti i trajnerit, ndërsa drejtuesit e Korabit intenzivisht po punojnë për të siguruar një trajner të ri.
“Jemi në bisedime e sipër me disa trajner, mirëpo për momentin nuk mund të ju them emra. Atë që mund të zbulojë për ju, është se njëri prej tyre është nga Shqipëria, ndërsa dy trajnerët tjerë me të cilët jemi në bisedime janë nga Maqedonia” – tha enkas për “infOSport.mk”, kryetari i KF Korabi, Habib Klloboçishta.
Nën drejtimin e Berat Imerit gjatë stinorit vjeshtorë, Korabi në 14 ndeshje, regjistroi 5 fitore, 3 barazime dhe 6 disfata, duke u renditur në pozitën e 8-të.