Shkëndija e Tetovës gjatë ditës së sotme prezantoi edhe përforcimin e tretë, i cili pritet të ndihmojë skuadrën gjatë stinorit pranveror në arritjen e objektivave, e që pa dyshim se është mbrojtja e titullit kampion.
“Kuqezinjtë” nga Tetova prezantuan sulmuesin e krahut, Aldair Sapalo Amaro Neto, i cili me kampionët në fuqi të vendit ka firmosur kontratë bashkëpunimi për 6 muajt e ardhshëm.
“Është nderë për mua dhe shpresoj të paraqitem mirë këtu. Besoj në gjëra pozitive dhe për këtë dua të falemenderoj klubin dhe presidencën për besimin e shfaqur ndaj meje”, shprehet Aldair Neto, që në vijim sqaron se si bindi t’i ofrohet kontratë dhe për faktin se tashmë ka një pasqyrë rreth skuadrës.
“Isha këtu në prova për një javë, mendoj kam ushtruar dhe luajtur me lojtarë të rinjë 18-20 vjeç. Gjërat shkuan mirë dhe ja ku jam. Mua më pëlqen mënyra si luan skuadra, e dij se bëhet fjalë për klub të madh. Ditën e parë që kam ardhur në Maqedoni kam ndjekur ndeshjen kundër Vardarit dhe kam parë se kemi ekip shumë të mirë. Mendoj se kjo do të jetë një sfidë e vërtetë për mua”, – përfundoi Neto, i cili si junior kishte qenë pjesë e gjigandëve portugez, Braga, për të vazhduar më tej te Fatima dhe katër vite me Maritimo. Klubi i tij i fundit para se të vinte te Shkëndija, ishte Bangor City nga Uellsi.