
Skuadra kampione e Austrisë, Salzburgu, ka vendosur të rikthejë në skuadër Mërgim Berishën, i cili për një vit të plotë luante në formë huazimi te skuadra e Altah, shkruan “infOSport.mk”.
Sulmuesi shqiptarë te këta të fundit luajti gjysmën e dytë të edicionit të kaluar dhe gjysmën e sezonit aktual, me ç’rast në 34 ndeshje me fanellën e Altah, regjistroi 16 gola dhe 10 asistime. Shifra këto mbresëlënëse për një sulmues në këtë moshë, i cili në këtë mënyrë bindi drejtuesit e Salzburgut për ta rikthyer atë në skuadër.
“Derisa Mërgimi u zhvillua shumë mirë vitin e kaluar, ne vendosëm ta kthejmë atë te Red Bull Salzburg. Ne mendojmë se ai do të luajë një rol të dobishëm për ne, edhe për shkak të situatës së ndryshuar të skuadrës” – tha për faqen zyrtare të Salzburgut, drejtori sportiv Kristof Frojnd.
Mërgim Berisha shihet si një zëvendësim për super sulmuesin Erling Braut Haaland, i cili u transferua te Borusia e Dortmundit.