Gjithçka nisi me largimin e drejtorit sportiv, Ertan Demiri, për të vijuar me mbrojtësin Mevlan Adili, i cili gjatë ditës u prezantua te Vllaznia e Shkodrës, ndërsa tashmë nga tabori i FC Shkupit, njoftuan se me marrëveshje të dyanshme kanë ndërprerë bashkëpunimin edhe me mbrojtësin e krahut të djathtë, Bojan Gjorgjievski, si dhe me portierin rezervë, Alban Miftari.
Këta dy të fundit nuk është se kishin shumë hapësira në formacionin “bardhekaltër”, ndërsa Mevlan Adili, ishte një ndër futbollistët më standard, duke regjistruar 16 paraqitje në kampionat dhe dy ndeshje në kuadër të Liga Europa.
Mbetet të shihet se cila do të jetë kundërpërgjigja e drejtuesve të FC Shkupit, të cilët kanë paralajmëruar disa përforcime cilësore dhe adekuate në pozita ku ekipi çalonte më shumë gjatë pjesës së parë të sezonit, që e mbyllën në pozitën e 7-të me 22 pikë, vetëm 3 më shumë se skuadra e 9-të në renditje, Boreci.