Intervista me presidentin e Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra

Struga Trim Lum stinorin vjeshtorë, që për ta ishte debutues në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, e mbylli në pozitën e 6-të me 24 pikë, vetëm 3 më pak se skuadra e Akademia Pandev në pozitën e tretë, pozitë kjo që siguron Europën. Në një intervistë për fund vit, numri një i skuadrës strugane, Arbtrim Qyra, foli gjërë e gjatë për të arriturat e klubit gjatë vitit që lamë pas, i cili njëherit konsiderohet si një ndër vitet më të suksesshme, pasi Struga Trim Lum në sezonin e saj të 5-të garues, arriti të sigurojë një vend në mesin e më të mirëve.

Është ky pa dyshim një sukses i madh për këtë skuadër, pas së cilës qëndron një kompani e suksesshme, ajo e Trim-Lum, e njohur ndryshe në biznesin e ndërtimit.

“infOSport.mk” zhvilloi një intervistë më të gjërë me të parin e Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra, të cilën mund ta lexoni më poshtë.


“infOSport.mk”: Viti 2019-të konsiderohet si një ndër vitet më të bukura, që do e mbani mend gjatë kohë, pasi fillimisht u promovuat në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, që më pas të bëni një gjysëmsezon mjaft pozitiv, duke e mbyllur stinorin vjeshtorë në pozitën e 6-të me 24 pikë. Si do e përshkruani këtë vit që jemi duke lënë pas?

Arbtrim Qyra: “Padyshim viti 2019 ka qenë një vit shumë i vështirë për ne, por ka qenë një vit historik për klubin dhe për fudbollin strugan. Pas promovimit në ligën e parë ne zhvilluam një gjysëmsezon mjaft pozitiv, por dua të theksoj se në vitin e ardhshëm nuk do te jemi të kenaqur nëse nuk grumbullojmë më shumë se 24 pikë”. 

“infOSport.mk”: Brenda pak viteve arritët në mesin e më të mirëve. Na e përshkruani këtë rrugëtim të juajin dhe si e arritët një gjë të tillë?

Arbtrim Qyra: “Shumë sfida, shumë angazhim, shumë lodhje, por në fund harrohet gjithçka. Shumë kush ishte skeptik në atë që filluam dhe shumë pak njerëz besuan në projektin tonë në fillim. U shpallëm kampion 2 vite me rradhë (ligën e 4-të dhe ligën e 3-të), në vitin e 3-të perfunduam në vendin e 5-të në ligën e dytë dhe sezonin e kaluar e kurorëzuam gjithë këtë rrugëtim me ngjitjen në elitë. Për të arritur një gjë të tillë të duhen njerëz të përkushtuar për rreth teje”.

“infOSport.mk”: Sa jeni të kënaqur me stinorin vjeshtorë dhe sezonin debutues në mesin e më të mirëve dhe a mund që Struga Trim Lum të kishte më shumë pikë nga ato që i keni tubuar?

Arbtrim Qyra: “Siç e thash edhe më lartë, në përgjithësi jemi të kënaqur, kemi mundur të bëjmë edhe më mirë dhe patjetër duhet të bëjmë shumë më mirë në stinorin  pranveror. Pres një angazhim edhe më të madh të lojtarëve për të grumbulluar edhe më shumë pikë”.

“infOSport.mk”: A pritet të ketë shumë lëvizje, apo do të përqëndroheni tek boshti i futbollistëve që krijuat para fillimit të sezonit të ri?

Arbtrim Qyra: “Ekipi e ka boshtin e vetë dhe kemi bindjen që këto lojtarë kanë mundësi të japin edhe më shumë në të ardhmen. Gjithsesi ne gjithmonë kërkojmë të përmirësohemi dhe të jemi më kompetitiv dhe padyshim nëse vjen mundësia për ta përforcuar ekipin, do ta bëjmë”.

“infOSport.mk”: Ndeshja që ju ka lënë më shumë përshtypje në sezonin vjeshtorë?

Arbtrim Qyra: “Pyetje e vështirë. Ka shumë ndeshje që nuk do ti harroj, duke filluar nga ndeshja debutuese kunder KF Rabotniçkit, fitorja ndaj të njejtëve në Shkup. Poashtu fitorja ndaj kampionëve aktual, KF Shkëndija me përmbysje në pjesën e dytë, apo edhe fitorja ndaj KF Vardarit. Nëse do duhej të zgjidhja një do te zgjidhja këtë të fundit, duke marrë parasysh që FC Struga ndërpreu një seri shumë të gjatë të Vardarit pa humbje, gjë të cilën nuk arritën ta bëjnë shumë skuadra si dhe i dha besim më të madh skuadrës për vazhdimësinë e kampionatit”.

“infOSport.mk”: Ku e shihni Struga Trim Lumin në fund të sezonit?

Arbtrim Qyra: “Synimi jonë këtë sezon debutues ka qenë që të sigurojmë sa më shpejtë mbijetesën, por unë personalisht kam shumë besim te lojtarët, te stafi dhe te të gjithë që punojnë në klub, dhe kjo gjë më shtyn ta mendoj FC Struga Trim Lum në pjesën e sipërme të tabelës, pse jo edhe në garë për të arritur edhe kupat e Europës”.


 

Leave a Reply