Viti 2019-të për Futsal Shkupin ka rezultuar më i suksesshmi në historinë e tyre, shkruan “infOSport.mk”. Gjatë vitit që jemi duke lënë pas Futsal Shkupi arriti që të shpallet kampion, pasi fitoi luftën me Velesn, ndërsa gjithashtu kjo skuadër fitoi edhe Kupën e Maqedonisë, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në Kavadar mundi Zhelezarecin.
Qershia mbi tortë ishin paraqitjet fantastike në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, ku si nikoqir arritën të kalojnë të njëjtat në garë me kampionët e Andorrës, Encamp, ata të Uellsit, Cardiff Univeristy dhe të Letonisë, Lokomotiv Daugavpils. Kësisoj fituan të drejtën për të luajtur në fazën kryesore që u zhvillua në Makarska të Kroacisë, e ku në garë me nikoqirët e Novo Vrijeme Apfel, kampionët e Qipros, Omonia Nikozia dhe ata të Armenisë, Leo, u renditën në pozitën e tretë.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i sukseseve të skuadrës nga Çairi këtë vit, pasi ata rrëmbyen çmimet kryesore në mbrëmjen gala të organizuar nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Taulant Ismaili, u shpall lojtari më i mirë, trajneri Zoran Lekiq, morri epitetin e më të mirit në kategorinë e tij, ndërsa Futsal Shkupi u shpallë si skuadra më e mirë në futsal.
Ata mbarë e nisën edhe sezonin 2019/2020, ku pas 11 xhirove të para së bashku me Cikon ndajnë pozitën e parë me nga 31 pikë.