Duke filluar nga sezoni 2021-2022, Shtëpia e Futbollit Europian (UEFA), do të shtojë edhe një kompeticion tjetër në nivel klubesh. Fjala është për “UEFA Conference League”, që do të jetë kompeticioni i tretë europian pas Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa, shkruan “infOSport.mk”.
Në këtë kompeticion do të kenë mundësi të luajnë disa prej klubeve më të vogla që nuk arrijnë të jenë pjesë e Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa, ndërkohë kanë nisur edhe aplikimet e para pranë UEFA-s për stadiumin që do të mirëpriste finalen e sezonit 2021-2022 dhe atij 2022-2023.
Ndër impiantet që do të jenë në garë janë edhe “Todor Proeski” i Shkupit dhe “Air Albania” i Tiranës, ndërsa në garë gjithashtu do të jenë edhe ai i Kretës në Greqi dhe stadiumi i Sent Etien në Francë.
Vendimi për impiantin ku do të luhen finalet e para të kompeticionit më të ri të UEFA-s, do të merret më datë 3 dhjetor të vitit 2020.