Zekirja Ramadani ditë më parë u shpall trajneri më i mirë për vitin 2019-të në futbollin kosovar, ndërsa emri i të njëjtit menjëherë u lidh me një angazhim të mundshëm te skuadra me më shumë trofe në Shqipëri, KF Tirana.
Aktualisht skuadra nga kryeqendra shqiptare është pa trajner, pas largimit të Julian Ahmatajt, ndërsa Ramadani shihet si njeriu i duhur për të vijuar punën me këtë skuadër, që sot në kuadër të javës së 17-të si mysafir mundi Laçin (1:2).
Megjithatë se cila është e vërteta e gjithë kësaj, “infOSport.mk” kontaktoi direkt me strategun shkupjan, i cili shkurtimisht na deklaroi: “Deri në këto momente nuk më ka kontaktuar askush, kam respekt për Tiranën, skuadrën më të trofeshme në Shqipëri, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete”.
Ramadani së fundmi udhëhoqi Feronikelin në Superligën e Kosovës, me të cilën skuadër arriti që të shpallet kampion edicionin e kaluar, ndërsa gjithashtu pati një aventurë të suksesshme me këtë skuadër në garat europiane, pas të cilave edhe përfundoi qëndrimin e tij.