Futsal Shkupi stinorin vjeshtorë në elitën e futsalit vendor e ka mbyllur në mënyrën më të mirë, teksa mbrëmë në rolin e mysafirit në Autokomandë me rezultatin 10:1 turpëroi ish kampionët e vendit, Zhelezarecin, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo fitorja më e thellë e skuadrës “bardhekaltër” nga Çairi, që në këtë mënyrë po vazhdon dominimin në elitën e futsalit vendor.
Nga dy gola në këtë ndeshje për Futsal Shkupin realizuan Erkan Seferi, Zoran Leveski dhe Bejtulla Jakupi, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Erkan Shabani, Aleksandar Gligorov, Arsim Fazliu dhe Ismet Ceka.
Ishte kjo fitorja e dytë brenda këtij sezoni ndaj Zhelezarecit, ndaj së cilës skuadër në ndeshjen e parë si vendas të besuarit e trajnerit Zoran Lekiq kishin shënuar fitore me shifrat 8:5.
Ndryshe fitorja e mbrëmshme për ekipin nga Çairi ishte e 9-të nga gjithsej 10 ndeshje të zhvilluara, ku ka arritur edhe një barazim në transfertën ndaj Ciko-s, që këtë vit shihet si rivali kryesor i Futsal Shkupit në luftën për titullin e kampionit.