Strategu shkupjan, Zekirja Ramadani është shpallur trajner më i mirë për vitin 2019-të në Kosovë, njofton “infOSport.mk”. Ramadani deri te ky çmim erdhi falë titullit kampion dhe trofeut të Kupës së Kosovës me Feronikelin, nga e cila skuadër u largua menjëherë pas garave europiane.
“Ndihem shumë i vlerësuar dhe i respektuar. Pas një sezoni të lodhshëm, por të suksesshem erdhi edhe ky vlerësim nga FFK-ja. Hera e dytë që po zgjidhem trajner i vitit në Kosovë dhe me të vërtetë është një sukses i jashtëzakonshëm në aspektin individual. Faleminderoj futbollistët e Feronikelit, pasi ata janë më meritorët që unë u shpalla trajner i vitit. Falemenderoj tifozët e Feronikelit dhe patjetër edhe Kryetarin e klubit, Naser Ramaj” – tha enkas për “infOSport.mk” strategu shkupjan, Zekirja Ramadani.
Çmimin e më të mirit Ramadani e pranoi nga Ajet Shosholli, ndërsa vlen të ceket se është kjo hera e dytë që Ramadani fiton këtë çmim në futbollin kosovar.